Blog updates

Latest news & updates
Artikuj, Blog

Fëmijë hiperaktivë, si t’i ndihmojmë?

8 Tetor, 2020

Shumë prindër shprehen se janë të tejlodhur e të dorëzuar ndaj hiperaktivitetit të fëmijës së tyre. “Ai nuk përqëndrohet; ajo nuk e përfundon detyrën e shtëpisë; ai nuk më dëgjon; ajo shpërqëndrohet shumë lehtë; ai më vë në siklet para kolegve apo të afërmve, ajo është agresive; ai nuk e njeh rrezikun, ajo është impulsive” janë fjalitë më tipike të prindërve.

Fëmijët hiperaktivë kanë vështirësi në kryerjen e funksioneve ekzekutive të tilla si: aftësia për të menduar dhe planifikuar paraprakisht, aftësia për të organizuar, vështirësi për të kontrolluar impulset apo vështirësi për të përfunduar detyrat.

Kini parasysh, fëmijët tuaj nuk janë “të këqinj” dhe as ju nuk keni dështuar në prindërim. Këshilla sesi mund t’u vijmë në ndihmë fëmijëve hiperaktivë listohen në vijim:

  • Ji pozitiv dhe kujdesu për veten. Të kesh një fëmijë hiperaktiv është sfiduese. Kupto që sjellja e papërshtatshme e fëmijës, nuk është e qëllimshme. Kërko mbështetje nëse lodhesh.
  • Ndërto një sturkturë për fëmijën dhe zbatoje atë (organizo aktivitetet ditore dhe parapërgatite fëmijën për aktivitetin e radhës). Nëse është e nevojshme ndërto një skedë me aktivitetet e përcaktuara qartë të ditës apo javës. Përdor orën ose timer për të kaluar nga aktiviteti i lojës, tek detyrat apo vaktet e ushqimit. Krijoji një ambient personal për fëmijën ku mund të qetësohet.
  • Përfshije në aktivitete fizike ku mund të shkarkojë shëndetshëm energji përmes sporteve apo artit. Lojërat në natyrë (ngjyra jeshile e barit apo pemëve) janë mënyrë shumë e mirë për të çliruar energjitë e tepërta.
  • Kujdesu për rutinën e gjumit. Sigurohu që fëmija të flerë herët. Zhurmat e bardha, muzika qetesuese apo aroma të ndryshme si levando mund ta ndihmojnë fëmijën të qetësohet më lehtë.
  • Vendos pritshmëri dhe rregulla të qarta. Shpërble sjelljen e mirë dhe reago menjëherë ndaj sjelljes së papërshtatshme. Fokusohu në sjelljen e mirë dhe përpjekjet e fëmijës. Mos shpërble me ushqim apo lodra, por me lavdërim, privilegje apo aktivitete të preferuara. Ndrysho përforcuesit vazhdimisht që fëmija të mos humbasë interesin. Trego menjëherë pasojat e sjelljes së papërshtatshme. Demostro sjelljen e mirë.
  • Ndihmoje fëmijën të hajë shëndetshëm duke eleminuar ushqimet e gatshme apo të ngrënit para TV. Hiq kafeinën, shmang sheqernat apo edhe glutenin nga dieta e fëmijës.
  • Ndihmoje të socializohet me shokët. Mësoje si të jetë një dëgjues më i mirë, si të kuptojë gjuhën e trupit apo fytyrat e shokëve në situate të ndryshme. Përmes luajtjes së rolit, provoni situata të thjeshta në shtëpi, psh si të ftojmë një shok në lojë.