Kategori: Artikuj

Artikuj, Blog

Si të ruajmë rutinën e fëmijëve gjatë festave e pushimeve të dimrit?

23 Dhjetor, 2020

Shumë prej nesh mund të biem dakord se gjatë sezonit të festave dhe pushimeve të dimrit, e gjithë puna e prindërve për të ndërtuar një rutinë tek fëmijët gjatë gjithë vitit, mund zhbëhet lehtësisht. Pavarësisht nëse jeni duke qëndruar në shtëpi për pushime, ose po largoheni për të eksploruar, pushimet me fëmijët kanë të bëjnë me planifikimin e hapësirave të shkurtra të vëmendjes dhe krijimin e mënyrave për t’i mbajtur ata të zënë, ndërsa ju ndjeni nevojën për tu ç’lodhur nga angazhimet e vitit. Pushimet duhet të jenë argëtuese dhe relaksuese, megjithatë shumë fëmijë përfitojnë nga prishja e rutinës, prandaj qëndroni në disa çështje themelore për t’i ndihmuar fëmijët të përshtaten sa më mirë gjatë kësaj periudhe. Disa këshilla për t’ju ndihmuar t’i përmbaheni një programi ditor janë përshkruar në vijim:

1. Jepni përparësi gjumit. Fëmijët e lodhur kanë tendencë të bëhen të grindavec, hiperaktivë dhe lehtësisht të frustruar. Një ose dy netë të qëndruarit zgjuar deri vonë mund të jenë të tolerueshme ose pothuajse të pashmangshme në këtë kohë të vitit, por në përgjithësi, do të ishte më e përshtatshme ruajtja e një orari të rregullt të gjumit dhe zgjimit.

2. Hani shëndetshëm. Sigurohuni që e gjithë familja konsumon një mëngjes dhe drekë të shëndetshme çdo ditë. Ofrojuni fëmijëve fruta, perime dhe ushqime të tjera të shëndetshme përpara se të shkoni në një festë. Në këtë mënyrë, ata do të kenë më pak hapësirë në stomakun e  tyre për të shijuar biskota, ëmbëlsira dhe ushqime të tjera.

3. Ushtrohuni. Sigurohuni që fëmijët tuaj të qëndrojnë aktivë gjatë pushimeve dhe të kenë kohë të mjaftueshme për të vrapuar. Ju mund të vizitoni së bashku një park lojërash afër shtëpisë ose të kënaqeni me ndonjë argëtim në natyrë.

4. Mos u jepni atyre shumë kohë në kompjuter / ekran. Të luajturit në një tablet duket një mundësi shumë e lehtë për t’i mbajtur fëmijët të zënë gjatë gjithë pushimeve. Kjo u jep prindërve pak kohë për veten dhe fëmijët duket se janë përgjithësisht të lumtur. Në fakt ju mund t’i stimuloni fëmijët tuaj në mënyra të tjera si lojërat në oborr, aktivitetet në shtëpi apo thjesht ruajtja e rutinës së fundjavave të zakonshme.

5. Gjeni kohë për të luajtur së bashku. Krijoni kohë për të luajtur në shtëpi dhe për t’u çlodhur të gjithë së bashku. Fundja pushimet dhe festat nënkuptojnë pikërisht familje.

P.s. Mos harroni të jeni fleksibël dhe mos u shqetësoni shumë nëse gjërat nuk shkojnë siç janë planifikuar. Gëzuar!

Burimi: https://royalexaminer.com/5-tips-for-maintaining-kids-routines-during-the-holidays/ https://www.creatingchange.net.au/benefits-children-routine-school-holidays/

Artikuj, Blog

Fëmijë hiperaktivë, si t’i ndihmojmë?

8 Tetor, 2020

Shumë prindër shprehen se janë të tejlodhur e të dorëzuar ndaj hiperaktivitetit të fëmijës së tyre. “Ai nuk përqëndrohet; ajo nuk e përfundon detyrën e shtëpisë; ai nuk më dëgjon; ajo shpërqëndrohet shumë lehtë; ai më vë në siklet para kolegve apo të afërmve, ajo është agresive; ai nuk e njeh rrezikun, ajo është impulsive” janë fjalitë më tipike të prindërve.

Fëmijët hiperaktivë kanë vështirësi në kryerjen e funksioneve ekzekutive të tilla si: aftësia për të menduar dhe planifikuar paraprakisht, aftësia për të organizuar, vështirësi për të kontrolluar impulset apo vështirësi për të përfunduar detyrat.

Kini parasysh, fëmijët tuaj nuk janë “të këqinj” dhe as ju nuk keni dështuar në prindërim. Këshilla sesi mund t’u vijmë në ndihmë fëmijëve hiperaktivë listohen në vijim:

  • Ji pozitiv dhe kujdesu për veten. Të kesh një fëmijë hiperaktiv është sfiduese. Kupto që sjellja e papërshtatshme e fëmijës, nuk është e qëllimshme. Kërko mbështetje nëse lodhesh.
  • Ndërto një sturkturë për fëmijën dhe zbatoje atë (organizo aktivitetet ditore dhe parapërgatite fëmijën për aktivitetin e radhës). Nëse është e nevojshme ndërto një skedë me aktivitetet e përcaktuara qartë të ditës apo javës. Përdor orën ose timer për të kaluar nga aktiviteti i lojës, tek detyrat apo vaktet e ushqimit. Krijoji një ambient personal për fëmijën ku mund të qetësohet.
  • Përfshije në aktivitete fizike ku mund të shkarkojë shëndetshëm energji përmes sporteve apo artit. Lojërat në natyrë (ngjyra jeshile e barit apo pemëve) janë mënyrë shumë e mirë për të çliruar energjitë e tepërta.
  • Kujdesu për rutinën e gjumit. Sigurohu që fëmija të flerë herët. Zhurmat e bardha, muzika qetesuese apo aroma të ndryshme si levando mund ta ndihmojnë fëmijën të qetësohet më lehtë.
  • Vendos pritshmëri dhe rregulla të qarta. Shpërble sjelljen e mirë dhe reago menjëherë ndaj sjelljes së papërshtatshme. Fokusohu në sjelljen e mirë dhe përpjekjet e fëmijës. Mos shpërble me ushqim apo lodra, por me lavdërim, privilegje apo aktivitete të preferuara. Ndrysho përforcuesit vazhdimisht që fëmija të mos humbasë interesin. Trego menjëherë pasojat e sjelljes së papërshtatshme. Demostro sjelljen e mirë.
  • Ndihmoje fëmijën të hajë shëndetshëm duke eleminuar ushqimet e gatshme apo të ngrënit para TV. Hiq kafeinën, shmang sheqernat apo edhe glutenin nga dieta e fëmijës.
  • Ndihmoje të socializohet me shokët. Mësoje si të jetë një dëgjues më i mirë, si të kuptojë gjuhën e trupit apo fytyrat e shokëve në situate të ndryshme. Përmes luajtjes së rolit, provoni situata të thjeshta në shtëpi, psh si të ftojmë një shok në lojë.

Artikuj, Blog

Si të ndihmojmë fëmijët të menaxhojnë ndjenjën e turpit?

1 Tetor, 2020

Dëshironi të bëni të skuqet një 5 ose 6 vjeçar? Thuaji se është i pashëm. Prezantojeni me shefin tuaj. Vini në dukje se sa e bukur është shoqja e tij e re. Po, në fakt është kaq e lehtë.

Sipas ekspertëve “Fëmijët e kësaj moshe janë të përqendruar në përshtatjen dhe mënyrën se si ata duken në sytë e bashkëmoshatarëve të tyre, kështu që të qenit ndryshe në çdo mënyrë tjetër mund të shkaktojë shqetësime”. Për më tepër, parashkollori dhe shkolla vjen me rregulla dhe detyra të reja. Disa fëmijë kanë turp kur bëjnë një gabim.

Kur janë të vegjël, fëmijët janë paksa ekzibisionistë, pra ata mund të vrapojnë nëpër shtëpi të zhveshur e të argëtohen me faktin që janë pa rroba. Ndërsa rriten, ata kuptojnë së pjesët e tyre intime, iu përkasin vetëm atyre. Po ashtu edhe funksione të bezdisshme të trupit. Një fëmijë në kopësht nuk do të donte kurrsesi që shokët të kuptonin se padashje trupi i tij çliroi gazra.

Ndërsa ndjenja e turpit mund të jetë edhe një shenjë pozitive (tregon zhvillimin e standardeve personale), një fëmijë duhet të mësojë se si ta përballojë atë. Si mund të ndihmojmë të kthejmë një fëmijë me faqe të kuqe përsëri në zonën e rehatisë?

• Modeloni sjelljen reziliente.
Ndodh që edhe ne të rriturit të ndodhemi në situata të sikletshme, madje kur janë prezentë edhe fëmijët tanë. Në situata të tilla, ku vëmendja e fëmijëve është e gjitha mbi ne, mund t’ju shpejgojmë se edhe të rriturit bëjnë gabime në publik, por kjo nuk është fundi i botës. Duke modeluar sjellje të mira, ndihmoni fëmijët të rritin vetëbesimin e tyre. Po ashtu ndarja e historive tuaja personale kur jeni turpëruar nga diçka, mund t’i ndihmojë fëmijët të ndajnë ndjenjat e tyre me ju.

• Tregoni empati ndaj ndjenjave të fëmijëve.
Kuptoni se si fëmijët ndihen ndërkohë që fytyra e tyre është e kuqe dhe zemra rreh shpejt. Nxitini të përshkruajnë sesi po ndihen. Mos qeshni nësë fëmija ka nevojë për mbështetje dhe as mos e anashkaloni ndenjën e turpit me të cilën fëmija po përballet.

• Ndihmojini të menaxhojnë situatat e sikletshme.
Punoni bashkë mbi zgjidhjet. Nëse fëmija nuk do të shkojë përsëri në shkollë sepse është rrëzuar dhe shokët kanë qeshur, shpjegojini se të mosshkuarit në shkollë nuk është zgjidhje. Zgjidhje mund të jetë biseda me shokët mbi mënyrën si fëmija ndihet pasi ata qeshin apo tallet dhe se të gjithë mund të ndodhemi në një situatë të tillë. Përforco sjelljen pozitive duke shpërblyer përpjekjet e fëmijës.

Mos neglizhoni ndjenjat e turpit që fëmijët përjetojnë. Ato mund të çojnë drejt zhvillimit të ankthit social dhe gjatë viteve të shkollës drejt bullizmit.

Artikuj

Rrjeti i Animatorëve Socialë APA (3)

1 Shtator, 2020

Nereida Llaha

Nereida është diplomuar në BA në degën Psikologji dhe më pas ka perfunduar ciklin e dytë të studimeve MSC. Psikologji Shkollore. Ajo është trajnuar në vazhdimsi në Vlersimin dhe Ndërhyrjen në Trauma, Emergjencat Psikologjike nga Mental Health Albania, trajnuar mbi Aplikimin e Kartave Emocionale nga Instituti i Sherbimeve Psikologjike, trajnuar mbi Cregullimet e Ankthit etj. Ndër vite puna e saj është fokusuar tek fëmijët , të rinjtë dhe çështjet e familjes. Nereida ndër vite ka dhënë kontributin e saj vullnetar mbi grupet e marxhinalizuara. Aktualisht ndjek kursin mbi trajnimin profesional të Animatorit Social dhe punon si psikologe në qendrën multidisiplinare Kallz. Nereida është bashkëpunuese dhe këmbëngulëse. Komunikimi, empatia dhe aftësia përshtatëse janë armët e saj më të forta. Pasionet për sportin dhe artin, përforcojnë marrëdheniet me fëmijët. Qëllimi dhe përpjekjet e vazhdueshme të Nereides, janë fokusuar në zhvillimin pozitiv të fëmijëve, si burim për dhënien e kontributit individual në shoqëri.

Lorena Cengu

27 vjeçe, ndjek studimet Bachelor në degën Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe paralelisht, kursin profesional për Animator Social. Prej 5 vitesh mban statusin e vullnetares pranë organizatave rinore në qytetin e Tiranës dhe në vendlindje, në Kukës.
Vëmendjen dhe kontributin e saj e kanë marrë veçanërisht nismat me në qendër fëmijët dhe mjedisin. Të tilla janë vitet e saj: ndërthurje mes dashurisë për fushën e gjerë të edukimit formal, informal e joformal dhe pasionit për të ndërtuar pjesëza fizike e shpirtërore mes saj dhe
shoqërisë!

Klorjana Cepi

Ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Humane, në Universitetin e Elbasanit gjatë viteve 2004-2008 dhe është diplomuar si mësuese Historie dhe Gjeografie. Përvec masterit profesional si mësuese, Klorjana ka përfunduar studimet të nivelit bachelor në Teologji nga Instituti Ndërkombëtar Biblik Sunset, USA. Ajo zotëron njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe italiane. Klorjana ka bashkëpunuar me shoqata dhe organizata të ndryshme, ku mund të përmendim certifikimin e saj nga organizata World Vision, ku midis të tjerash është certifikuar si Facilitatore në modulin “Festojmë Familjen”. Ajo është certifikuar nga TEA për “Edukimin e fëmijëve përmes aktiviteteve sportive”, nga Alo – Mik për “Zbulimin dhe mbrojtjen e fëmijëve vulnerabël”, etj. Aktualisht Klorjana është duke shërbyer si vullnetare pranë Fondacionit Kisha e Krishtti Korcë, duke punuar me grupmosha të ndryshme dhe grupe të ndryshem sociale. Ajo ofron kurse të gjuhës angleze, gjithashtu ofron këshillim dhe mbështetje për fëmijët, për adoleshentët dhe nënat e reja (si MOPS – një grup mbështetës për nënat me fëmijëvë parashkollorë, në të cilën Klorjana është trajnuese dhe mentoruese).

Kamela Kodra

Kamela është studente në vitin e fundit në Fakultetin e Infermierisë në Korçë. Dëshira për të shëruar dhe për të larguar dhimbjet u bë parimi i saj i parë në momentin që zgjodhi të ishte një inferimiere. Pasionet e saj janë udhëtimet, fotografia dhe muzika. Aktualisht është pjesë e Kursit Profesional për Animator Social për të kuptuar më mirë punën me fëmijët dhe të rinjtë. Një inferiemerie që di të përdorë edhe lojën si pjesë e procesit të trajtimit të fëmijëve do të ishte padyshim e mirëpritur.

Artikuj

Në ç’mënyrë llojet e ndryshme të lojës, ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve?

17 Gusht, 2020

Të luajturit është një mekanizëm mbijetese dhe mbrojtës, sepse teksa luajnë, fëmijët krijojnë vetë mirëqenien e tyre (sipas Bradshaw et al. 2007). Loja mbështet lidhjet e neuroneve të reja dhe gjatë lojës aktivizohet korteksi frontal i hemisferës së trurit, përgjegjës për kontrollin e emocioneve dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Loja e ndihmon një fëmijë të zhvillojë aftësitë e tij të lindura. Ka shumë lloje lojërash dhe shumë studime që i mbështesin ato si forma zhvillimi tek fëmijët. Më poshtë, listohen disa lloje lojërash dhe efektet e tyre zhvillimore:

  • Loja fizike- ngjitja, kapërcimi, kërcimi, loja me top etj perveç zhvillimit fizik të fëmijës, ndikojnë edhe në rezultatet akademike të tyre. Imagjinoni një grup fëmijësh që luajnë pranë oborrit të shkollës gjatë pushimit të gjatë. Gjatë lojës, ndërsa argëtohen, truri i tyre ka mundësi të procesojë informacionin e marrë gjatë mësimit dhe ta ruajë atë. Në të njëjtën kohë, po gjatë kësaj loje, janë duke u zhvilluar edhe aftësitë sociale të fëmijëve me njëri-tjetrin.
  • Loja me objekte- fillon që në momentin që fëmija kap një objekt, e fut në gojë, e kafshon, e rrotullon apo e hedh. Kjo mund të përshkuhet edhe si lojë senso-motore pasi fëmija eksploron objekte të përbëra nga materiale të ndryshme. Loja me kuba ndihmon fëmijët e vegjël të zhvillojnë aftësitë vizio-hapsinore (kur ndërton një kullë), aftësitë matematikore (kur numëron kubat) apo afësitë gjuhësore.
  • Loja simbolike- fillon kur një kub nuk është më vetëm një kub, por ai përfaqëson një objekt tjetër gjithashtu. Një kub mund të përdoret si një makinë në dysheme, një kuti kartoni si një varkë apo një këpucë si telefon. E gjitha kjo ndikon në zhvillimin e aftësive gjuhësore, motore, kognitive dhe vetëbesimit. Loja e pretenduar, (me sikur apo me gjasme)si një formë e lojës simbolike, e ndihmon fëmijën të kuptojë perspektivën e tjetrit, të zhvillojë imagjnatën dhe të menduarit krijues.
  • Loja me rregulla- rregullat i ndihmojnë fëmijët të parashikojnë çdo të ndodhë me pas. Të ndarit e lodrave apo pritja e radhës e ndihmojnë fëmijën të socializohet me grupin. Planifikimi dhe zbatimi i lojërave (sidomos për grupmoshën 7-9 vjeç) ndikon në aftësitë e zgjidhjes së konfliktit. Konkurenca apo lojërat e ndara sipas gjinisë janë tipike për fëmijët e moshës shkollore.

Përshtatur nga: https://www.researchgate.net/publication/325171537_The_role_of_play_in_children%27s_development_a_review_of_the_evidence