Kategori: Sherbimet dhe programet baze

Artikuj, Blog

Loja shqisore

21 Prill, 2020

Hulumtimet tregojnë se loja shqisore ndërton lidhje nervore në trurin e fëmijës, të cilat çojnë në aftësinë për të kryer detyra më komplekse të të mësuarit. Loja ndijore mbështet zhvillimin e gjuhës, zhvillimin njohës, aftësitë motorike fine e globale, aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe bashkëveprim social.

Kategoria: individuale ose në grup

Mosha: 4-8 vjec

Aftësitë psikosociale të zhvilluara përmes lojës:

  • Në nivel mendor- përqëndrimi
  • Në nivel emocional-besimi nësë sytë janë të mbyllur dhe komunikimi
  • Në nivel fizik- aftësia e reagimit dhe shpejtësia

Rregullat e lojës: Duhet të jemi të shpejtë, të saktë dhe të mos bëjmë hile.

Përshkrimi i lojës: Loja mund të zhvillohet me sy të lidhur ose hapur (sipas moshës dhe zgjedhjes së fëmijës). Në një tavolinë vendosen sende, ushqime, lodra, mjete apo materiale të ndryshme dhe i kërkohet fëmijës të zgjedhë dhe të përshkruajë objektin e zgjedhur sipas 5 karakteristikave shqisore.

Qëllimi i kësaj loje të thjeshtë është që fëmija të kuptojë së sa rëndësi ka përvoja sensoriale që vjen përmes të gjitha shqisave së bashku.

Elementë të tjerë shtësë: Lojës shqisore mund ti shtohen elementë si koha, numërimi, shpejtësia dhe cdo gjë tjetër që mund të sjellë argëtim dhe kënaqsi.

Fjalë përshkruese sipas shqisave (listës mund ti shtohen shumë emërtime të tjera).

Të paritTë dëgjuaritTë nuhaturitTë shijuaritTë prekurit
ShkëlqenI zhurmshëmAromë lulëshI, e thartëI, e butë
I, e zbehtëTingëllonAromë frutashI, e ëmbëlI, e lagur
I, e bukurKërcetI, e ëmbëlI, e hidhurI, e rëndë
I, e qartëI bezdisshëmI, e djegurDjegës, eI, e fortë
I, e errëtMelodikI, e kalburI, e kripurI, e nxehtë
I frikshëm, e frikshmeShpërthyesI, e freskëtI lëngshëm, e lëngshmeI, e butë
Me xixaI, e lartëI, e tymosurI, e ftohtëI, e ashpër
I, e theksuarI, e largëtI, e fortëI, e qullëtNgjitës
Artikuj, Blog

Pasojat psikologjike të pandemisë së shkaktuar nga koronavirus.

Ky artikull nxjerr në pah sfidat shëndetësore e sjellore që do të duhet të përmbushen gjatë përballjes që po kalojmë me pandeminë .

Ky është një shqetësim i veçantë sidomos për njerëzit që do të punojnë drejtpërdrejt me të prekurit me COVID-19.

Pasoja psikologjike e një pandemie: Një skicë

Më poshtë paraqitet një përmbledhje e çështjeve psikologjike që duhen adresuar. Artikulli nuk ka për qëllim të jetë gjithëpërfshirës, i hollësishëm ose të ofrojë zgjidhje specifike. Kjo duhet të ndodhë përmes proceseve të planifikimit që shpresojmë se së shpejti do të adresojnë edhe pasojat psikologjike të pandemisë. Qëllimi i këtij artikulli është thjesht të shënojë fushat që nevojiten të adresohen.

Edhe pse shumica e njerëzve që përjetojnë një pandemi ose një fatkeqësi natyrore, në përgjithësi nuk  zhvillojnë çrregullime mendore të diagnostikueshme ose çrregullime të abuzimit të substancave, një pjesë edhe mund të përjetojnë. Disa mund  të pësojnë përkeqësime të Çrregullimit të Stresit Postraumatik, çrregullime ankthi, depresion, psikozë ose abuzim me substancat. Rreziku i regresit  është më i madh për njerëzit që gjatë kësaj periudhe janë duke trajtuar një varësi. Për më tepër, shumë njerëz do të përjetojnë sfida emocionale për shkak të stresit, izolimit apo konfrontimit me vdekshmërinë.

Për më tepër, shumë njerëz do të përjetojnë çështje emocionale më pak të ashpra, por shumë shqetësuese gjithësesi. Stresi që sjell izolimi i gjatë  dhe përgjegjësia për familjen mund të jetë shumë i vështirë për tu menaxhuar. Humbja e të ardhurave mund të jetë thellësisht shqetësuese. Izolimi për shkak të karantinës për njerëzit me aftësi të kufizuara mund të ketë pasoja të thella psikologjike. Për disa njerëz, përballja me vdekjen mund të ngjall emocione të thella negative.

Aksesi tek shërbimet psikologjike është i kufizuar për shkak të:

  • Nevojës së shtuar të popullatës.
  • Rritjes së numrit të njerëzve të karantinuar në shtëpi.
  • Mungesës së stafit në qendra shëndetësore ose sociale.
  • Masave parandaluese që kufizojnë lejimin e personave me koronavirus në vendet e trajtimit.
  • Mungesës së aksesit online nga gjithë popullata.

Sistemi shëndetësor dhe psikosocial duhet të fokusohen tek:

  • Të rriturit me çrregullime afatgjata, të cilët kanë të ngjarë të përkeqësohen nga ndërprerjet e shërbimit ose qasja e dobët në kujdesin mjekësor gjatë kësaj periudhe.
  • Njerëzit në shërim nga varësia, për të cilët rikthimi është një mundësi e madhe për shkak të stresit të madh ose humbjes së aksesit në trajtim ose mbështetje, të tilla si grupe të vetë-ndihmës.
  • Fëmijët dhe adoleshentët.
  •  Të moshuarit të cilët kanë një rrezik të lartë vdekshmërie nëse preken nga koronavirus, përjetojnë ankth të shtuar dhe demoralizim.
  • Njerëzit që vuajnë nga demenca, për të cilët izolimi dhe ndryshimet në rutinë janë  veçanërisht sfiduese.
  • Njerëzit me aftësi të kufizuara zhvillimore siç është autizmi ose aftësia e kufizuar intelektuale, për të cilët ndërprerjet e rutinës mund të jenë jashtëzakonisht shqetësuese.
  • Prindërit e vetëm ose kujdestarët e familjes, të cilët janë nën stres të madh dhe vuajnë nga mbingarkesa.
  • Njerëzit që jetojnë të vetëm në izolim, të cilët janë në rrezik të lartë të çrregullimeve mendore.
  • Njerëzit që kanë humbur dikë, numri i të cilëve do të jetë në rritje nëse pandemia është e rëndë.

Si përfundim, planifikimet janë të nevojshme tani.

Pa dyshim, fokusimi  tek çështjet mjekësore të pandemisë COVID-19 është përparësia më e lartë e shëndetit publik. Por njerëzit do të vuajnë jo vetëm nga sëmundja, por edhe nga të ardhurat e humbura, mungesa e shërbimeve thelbësore dhe nga sfidat e sjelljes shëndetësore, përfshirë çrregullimet mendore dhe problemet emocionale.

Tani duhen plane për të marrë përsipër sfidat psiko-sociale të pandemisë, përkrah nevojave mjekësore.

Michael B. Friedman, LMSË, ka qenë një avokat i politikës së shëndetit mendor për mbi 40 vjet. Ai ishte Drejtor i Qendrës për Politikë dhe Advokim të Shoqatës së Shëndetit Mendor të NYC, kur doli në pension në vitin 2010. Ai vazhdoi mësimdhënien në Punën Sociale, në Universitetin Columbia deri në vitin 2019.

Artikuj, Blog

Loja, loja, loja!

20 Nëntor, 2019

Të luajturit është argëtues, përfshirës, strategjik, krijues. Loja është aktiviteti më i rëndësishëm gjatë fëmijërisë. Loja mund të jetë individuale ose në grup sipas zhvillimit dhe interesit të fëmijës. Përmes lojës, një fëmijë shfaq identitetin e tij, por edhe shqetësimet e tij. Duke ditur se fëmijët jo gjithmonë e kanë të lehtë të verbalizojnë mendimet dhe ndjenjat e tyre, loja e lehtëson këtë proces.

Eksplorimi i ambientit ku ndërveprojnë i ndihmon fëmijët të rrisin kapacitetet e tyre, të ndërtojnë marrëdhënië, të mendojnë strategji, të koordinojnë lëvizjet. Përmes lojës, fëmija familjarizohet në një kopsht të ri, me një edukatore të re, me një shok të ri. Përmes lojës, fëmija aftësohet në zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit strategjik. Përmes lojës, fëmija përballet me frikërat dhe pasiguritë e tij. Përmes lojës, fëmija mëson duke përsëritur, duke gabuar, duke provuar. Përmes lojës, fëmija zhvillon aftësitë sociale e krijuese. Përmes lojës, fëmija njeh rregullat, mëson të ndajë me të tjerët dhe të respektojë. Përmes lojës, fëmija zbulon talentet e tij.

Ka kaq shumë përfitime nga loja dhe një realitet po kaq neglizhues nga të rriturit. Teknologjia ka zvendësuar lojën para pallatit dhe kurset e pafundme të pasditeve kanë zvendësuar lojën me prindërit. Fëmijët kanë lodra më shumë se çfarë ju nevojitet. E ndaj këtyre lodrave humbasin interesin ditën e dytë që i zotërojnë.

Organizimi i një loje kërkon pak mjete të thjeshta si litar, letër, rrathë, tullumbaca, top, lapsa etj. Me kaq pak ne mund të bëjmë kaq shumë lojëra si: Lumi i Krokodilave, Xhungla, Ishulli i Peshkaqenit, Trupi i Gjarpërit etj. Ajo çfarë na ofrojnë në çdo situatë fëmijët është energjia, përfshirja apo dëshira për të luajtur. Ajo çfarë duhet të ofrojmë ne të rriturit është vullneti, organizimi dhe koha.

Çdo prind e do më shumë se çdo gjë fëmijën e tij, çdo edukator kërkon të jetë i suksesshëm në punën e tij, çdo profesionist tjetër si psikolog, punonjës social apo animator kërkon të hyjë në marrëdhënie sa më të qëndrueshme me fëmijën. Loja mbetët mënyra me e suksesshme për ta ftuar një fëmijë, për ta njohur dhe për tu lidhur me të. Le të luajmë!

 

Boralda Lala

Psikologe Klinike

Artikuj, Blog

Përse është i rëndësishëm të mësuarit përmes eksperiencës?

19 Shtator, 2019

Bota e sotme është dinamike dhe e ndryshueshme vazhdimisht. Është pranuar gjerësisht se fëmijët të cilët kanë lindur në fund të shekullit të 20-të ‍dhe gjeneratat pasuese priten të zhvillojnë përafërsisht 5 karriera gjatë kursit të jetës. Klasat online dhe seminarët për specializimin e aftësive po bëhen një mënyrë e lehtë që të punësuarit të qëndrojnë të përditësuar me trendet e fundit dhe aftësite e nevojshme për të patur sukses në profesionet e kohës. (më tepër…)

Artikuj, Blog

Mami, jam në klasë të parë!

11 Shtator, 2019

Fillimi i shkollës është një ndër tranzicionet më të rëndësishme për fëmijën. Pasi kampioni juaj i vogël apo kampionia juaj e vogël kanë arritur gurët kilometrikë të zhvillimit, shkolla u shfaqet si një sfidë e madhe (madje më e vështirë se puzzle ose lego me pjesë të imta).

Për disa fëmijë të familjarizuar me çerdhen dhe kopshtin, mund të duket më i lehtë fillimi i shkollës, por gjithësesi klasa e parë mbart ankth. Fatkeqësisht, ne jemi të mësuar ta shohim shkollën si institucion që përcjell autoritet, më tepër se një ambient në të cilin zhvillohen edhe më tej potencialet e fëmijës.

Muaji shtator duket se vë në lëvizje gjithë familjen, procesi i regjistrimit, blerja e librave, veshje të reja (të cilat janë kthyer në një standart të pakuptueshëm!), çanta e re, mjetet mësimore dhe lista duket se s’ka fund. Nënat janë ato të cilat e përjetojnë me më shumë stres fillimin e shkollës. Ankthi që ato vetë përjetojnë tejçohet tek fëmijët në mënyrë të pavetëdijshme. E kështu duke dashur të lehtësojnë fëmijën e tyre, mund të ndodhë ta ngarkojnë edhe më tepër, pa dashur, sigurisht. Ankthi i ndarjes është aty, pas derës!

Çfarë mund të bëjë një mami ose babi i shqetësuar? Sigurisht që nuk ka asnjë teknikë specifike, por natyrshëm vijnë këto këshilla: (më tepër…)